ATK-ja dhe ARBK-ja bashkojnë forcat për luftimin e evazionit fiskal

Me anë të një memorandumi bashkëpunimi Administrata Tatimore e Kosovës ka siguruar çasje online në dosjet elektronike të tatimpaguesve që janë në zotim të Agjencisë për Regjistrimin e Bizneseve në Kosovë.

Nëpërmjet këtij bashkëpunimi Departamentit të Hetimeve Tatimore dhe Inteligjencës i ATK-së do të ketë çasje në këto dosje dhe kjo ndihmon në hetimin dhe luftimin e e evazionit fiskal dhe veprave penale që ndërlidhen me të, shkruan Gazeta Infokus.

ATK thotë se memorandumi i së premtes shënon edhe një hap tjetër në koordinimin dhe bashkëpunimin e vazhdueshëm ndërinstitucional.

Komunikata e plotë:

“Memorandum Bashkëpunimi në mes ATK-së dhe ARBK-së
Administrata Tatimore e Kosovës dhe Agjencia për Regjistrimin e Bizneseve në Kosovë kanë nënshkruar sot Memorandum Bashkëpunimi me qëllim të ofrimit të mundësisë për qasje online të ATK-së gjegjësisht Departamentit të Hetimeve Tatimore dhe Inteligjencës, në dosjet elektronike të tatimpaguesve, të cilat dosje janë në posedim të Agjencisë për Regjistrimin e Bizneseve në Kosovë. Kjo qasje do të bëhet me qëllim të hetimit dhe luftimit të evazionit tatimor dhe veprave të tjera të ndërlidhura penale, si dhe për ngritjen dhe lehtësimin e mëtutjeshëm të koordinimit dhe bashkëpunimit ndër-institucional. Memorandumi në fjalë është nënshkruar nga Drejtori i Përgjithshëm i ATK-së Ilir Murtezaj dhe Zëvendësues, Drejtor i Përgjithshëm ARBK-së Mehdi Pllashniku.
Ky memorandum është vazhdimësi e bashkëpunimeve që kanë këto dy institucione në nivelin e koordinimit të shumë aktiviteteve sa i përket regjistrit të tatimpaguesve”, shkruan në komunikatën e ATK-së.