KQZ: Refuzohen 9 mijë e 49 zarfe me fletëvotime nga diaspora

Në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve është duke vazhduar punën Shërbimi Votues, i cili po bën vlerësimin e rreth 43 mijë e 500 pakove të supozuara me fletëvotime, të cilat janë pranuar gjatë periudhës së votimit përmes postës.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi ka thënë para mediave se përmes këtij procesi do të mund të saktësojmë numrin e fletëvotimeve të cilat kanë ardhur nga jashtë vendit.

“Deri më tani janë hapur 19 mijë e 168 pako të supozuara me fletëvotime që i janë nënshtruar procesit të vlerësimit, që siç e dini brenda një pakoje mund të ketë më shumë se një zarf me fletëvotim. Pas vlerësimit janë aprovuar 22 mijë e 326 zarfe me fletëvotime, ndërsa janë refuzuar 9 mijë e 49 zarfe me fletëvotime”, ka thënë Elezi.