Milaim Zeka: Vehbi Kajtazi e tha një të vërtetë të madhe, Ramiz Lladrovci e ka dërguar Hashim Thaçin në Hagë

Gazetari dhe analisti Milaim Zeka, përmes një video në kanalin e “Pa Rrotlla” në Youtube, ka thënë se deklarata e Vehbi Kajtazit se Ramiz Lladrovci e ka dërguar Hashim Thaçin në Hagë me akuzën se ky i fundit e ka vra Behajdin Allaqin, është e vërtetë.

“Natyrisht që shqiptarët e përdorin vazhdimisht atë që “edhe hasmit jepja hakun”, mirëpo kjo është vetëm një retorikë fllce edhe boshe e shqiptarëve që kurrë në praktikë nuk e kanë zbatu. Është Evropa Perëndimore dhe Suedia, ajo e cila më ka dhënë guximin qytetarë dhe për ta zbatu në praktikë këtë thënie të shqiptarëve. Vehbi Kajtazi, i cili për mua personalisht është njëri nga njerëzit më të urryer në jetën time, e ka thënë sot një të vërtetë shumë të madhe lidhur me Ramiz Lladrovcin. Vehbi Kajtazi ka deklaruar që është pikërisht Ramiz Lladrovci, ai i cili e ka dërguar në Hagë Hashim Thaçin dhe që përmes tri letrave të tij që janë të deponuara në Gjykatën Speciale, në KFOR, në EULEX, Ramizi e ka akuzuar Hashim Thaçin për vrasjen e Behajdin Allaqit. Ramiz Lladrovci e din se kujt ka shku i ka thënë edhe në burg në vitin 2004/2005 që të ka ardh dita me ia fut Hashim Thaçit, Rexhep Selimit dhe Kadri Veselit”, është shprehur Zeka.

Milaim Zeka më tej në këtë video përmend edhe disa fakte kur Ramiz Lladrovci e akuzon Hashim Thaçin për vrasjen e Behajdin Allaqit, por vazhdon Zeka, Lladrovci thotë se Thaçi ka gisht edhe në vrasjen e Fehmi Lladrovcit.

“Në të pamën e një personaliteti shumë të madh të Kosovës, i cili ka kontribuar shumë për çështjen kombëtare, po e them më emër, në t’pamen e nënës së Ekrem Jasharit nga Ferizaj, i cili e ka shit shpinë e tij dhe e ka dhanë për herë të parë për fondacionin e UÇK’së, Vendlindja Thërret, Ramizi ka deklaruar në këtë të pame që Hashim Thaçi, jo vetëm që është kriminel, po ai është edhe vrasës, ka thënë që Hashim Thaçi është vrasësi i Behajdin Allaqit, por ka gisht edhe në vrasjen e Fehmi Lladrovcit”, thotë Zeka në këtë video.

Sipas tij, Ramiz Lladrovci, përmes shantazheve të tij, duke e shantazhu Hashim Thaçin, ka arritë me u ba edhe ambasador, edhe kryetar i komunës.

Sipas Milaim Zekës,Lladrovci, në studio televizive e kishte akuzu edhe vetë Milaim Zekën duke thënë se për fajin e këtij të fundit, Hashim Thaçi është marrë në pyetje nga Gjykata Speciale.

“Pa fije turpi, ky njeri del edhe nëpër studio televizive dhe akuzon njerëz, në mesin e atyre më ka akuzu edhe mu se gjoja për fajin tim është marrë në pyetje nga Gjykata Speciale. Ramiz Lladrovci në emisionin e fundit në Pressing të drejtuar nga Leonard Kërçuku dhe Berat Buzhala, nuk e mohon ekzistimin e letrës ku e akuzon Hashim Thaçin për vrasjen e Behajdin Allaqit, po ai thotë se Milaim Zeka ma ka vjedh kompjuterin. Okej, ndoshta ia paskam vjedh kompjuterin, po letra, kush e ka shkru letrën, kush ka dëshmu te vendorët dhe ndërkombëtarët se Hashim Thaçi e ka vra Behajdin Allaqin”, ka thënë Milaim Zeka, duke shtuar se në këto pyetje duhet të përgjigjet Ramiz Lladrovci. /Pa Rrotlla