Dalin imazhet satelitore: Kina po ndërton 120 objekte për lansimin e raketave bërthamore në shkretëtirë

Kina po i ndërton më shumë se 100 objekte raketore në shkretëtirë, sipas një analize të fotografive satelitore.

Hulumtuesit kanë deklaruar se kjo shenjon një ekspansion të mundshëm të aftësive nukleare të këtij vendi.

Ata kanë paralajmëruar se kjo nënkupton një “zhvillim alarmues” por po ashtu kanë bërë thirrje që të mos mendohet në formën e “skenarit më të keq të mundshëm”, duke përmendur tensionet mes fuqive më të mëdha nukleare për këtë çështje, raporton Guardian, përkthen Periskopi.

Hulumtimi, së pari i botuar në The Washington Post, identifikoi ndërtimin e të paktën 119 objekteve për lansimin e armëve nukleare në shkretëtirën e provincës Gansu.

“Ne besojmë që Kina po e rrit forcën e saj bërthamore për t’u siguruar që mund t’i mbijetojë një sulmi të parë nga ShBA-ja në numra të mjaftueshëm sa për ta mposhtër më pas mbrojtjen raketore amerikane,” tha Jeffrey Lewis, ekspert amerikan i armëve bërthamore.

Kina besohet të ketë më shumë se 350 koka bërthamore, ose 30 më shumë se në vitin 2020, por më pak se ShBA-ja apo Rusia.